Acronis, lider global në zgjidhjet e mbrojtjes së të dhënave të gjeneratës së re, njoftoi se ka krijuar një partneritet teknologjik me ekipin e mirënjohur të futbollit Manchester City Football Club. Partneriteti do të përfshijë bashkëpunim për të përmirësuar proceset e kopjimit rezervë dhe ruajtjes së të dhënave.
Në botën e futbollit elitar, të gjitha ekipet duhet të mbështeten te të dhënat për të analizuar dhe përmirësuar performancën e tyre. Krijimi i një strategjie fituese përfshin analizën e detajuar të një sërë elementesh kyçe, duke përfshirë pasimet, kontrollin e topit, aksionet, sjelljen e lojtarëve individualë në situata të ndryshme dhe shumë të tjera. Këto fusha studiohen me kujdes para, gjatë dhe pas çdo ndeshjeje, në mënyrë që ekipet të mund të fitojnë avantazh konkurrues ndaj kundërshtarëve të tyre.
Partneriteti i Acronis me kampionin aktual të Premier League angleze do të mundësojë optimizimin e menaxhimit të të dhënave në të gjithë organizatën. Me të dhënat, aplikacionet dhe sistemet që do të kopjohen në mënyrë të besueshme dhe do të jenë gati për rikuperim të menjëhershëm, hapen mundësi të reja për punën me informacionin e disponueshëm me synimin e arritjes së objektivave të reja.
“Në nivelin më të lartë të konkurrueshmërisë, të dhënat janë vendimtare,” tha John Zanni, presidenti i Acronis. “Teknologjitë Acronis janë ideale për mjedise dixhitale me përdorim intensiv dhe shumë konkurruese. Jemi partner krenar i Manchester City dhe presim me padurim projektet e përbashkëta në të ardhmen. Besojmë fuqimisht se ky partneritet do të jetë i dobishëm për Manchester City, Acronis, si edhe për të gjithë partnerët dhe klientët tanë.”
Në epokën e sotme dixhitale, teknologjia dhe veçanërisht të dhënat janë një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm për performancën e ekipeve sportive. Në periudhën para ndeshjeve të rëndësishme, trajnerët mund t'u paraqesin lojtarëve të tyre në dhomat e zhveshjes, me ndihmën e iPad-ëve, informacionin e rëndësishëm aktual, përfshirë krahasimet historike, të marrin vendime në minutën e fundit dhe të shqyrtojnë të dhënat gjatë analizave pas ndeshjes.
“Jemi të kënaqur që mund të njoftojmë partneritetin me Acronis,” tha Damian Willoughby, Senior Vice President of Partnership në City Football Group. “Një klub futbolli si Manchester City gjeneron çdo ditë sasi të mëdha të dhënash, që mbulojnë të gjitha fushat – nga lojtarët dhe tifozët tanë deri te transaksionet e përditshme tregtare. Ekspertiza e Acronis do të na ndihmojë të përmirësojmë proceset e ruajtjes dhe kopjimit rezervë të të dhënave. Acronis ndan pasionin tonë për inovacionin dhe përdorimin e teknologjive më të fundit, prandaj presim me padurim rezultatet e bashkëpunimit tonë.”
Pjesë e partneritetit do të jetë gjithashtu bashkëpunimi i të dy subjekteve në projektin Acronis Foundation, i fokusuar në ndërtimin e shkollave në vendet në zhvillim.
Autori i artikullit: Redaksia ZEBR.ai



